Gjyqi ndaj ish-presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, është planifikuar të nisë më 1 qershor 2027.
Forcat amerikane kapën Maduron dhe Flores në kompleksin e tyre rezidencial në kryeqytetin venezuelian, Karakas, gjatë një operacioni të zhvilluar natën e 3 janarit dhe i sollën në New York për t’u përballur me akuza për armë dhe trafik droge, të cilat ata i mohojnë.
Gjyqtari Alvin Hellerstein caktoi një seancë paraprake për më 17 nëntor, ku do të shqyrtohen kërkesat e të dyja palëve.
Avokati i Maduros, Barry Pollack, sinjalizoi se në gjyq do të argumentojë se klienti i tij mbrohej nga imuniteti sovran, një parim juridik që mbron krerët e shteteve nga ndjekja penale.
Salla e gjyqit ishte e mbushur me spektatorë, disa prej tyre kishin pritur në radhë për orë të tëra vetëm për të parë nga afër Maduron. Përpara fillimit të seancës, një punonjës i gjykatës u kërkoi të pranishmëve të qëndronin ulur dhe i paralajmëroi se “nuk mund t’i thonë asgjë ish-presidentit”. Kushdo që nuk respektonte rregullat e sjelljes në sallën e gjyqit “mund të përballet me probleme ligjore”, paralajmëroi ai.
Shumica e të pranishmëve i respektuan udhëzimet, ndërsa Maduro dhe Flores u shoqëruan në sallë pak pas mesditës, megjithëse disa murmuritën ose morën frymë thellë kur ai kaloi pranë tyre.
Maduro, i veshur me uniformë bezhë burgu, por pa pranga, përshëndeti me një tundje koke të pranishmit teksa shkoi drejt vendit të tij në tavolinën e mbrojtjes. Ai dhe Flores qëndruan të qetë, duke mbajtur kufje për përkthim ndërsa avokatët e tyre bisedonin me gjyqtarin.
Kur erdhi koha për t’u larguar, Maduro u ngrit në këmbë. Ai u kthye nga publiku dhe bëri një përshëndetje të vetme me dorë, përpara se të zhdukej në korridoret e brendshme të gjykatës, nën shoqërimin e Shërbimit të Marshallëve të SHBA-ve.
Jashtë sallës së gjyqit, protestues kundër luftës dënuan operacionin ushtarak amerikan që çoi në kapjen e Maduros. Ata mbanin pankarta ku shkruhej “Lironi Presidentin Maduro” dhe, sipas fjalëve të një protestuesi me megafon, e cilësuan procesin si një “gjyq farsë”.
Disa venezuelianë, të mbështjellë me flamurin e vendit të tyre, shprehën mbështetje për ndjekjen penale.


