GREQI– Autoritetet greke të Volosit kanë njoftuar se kanë arrestuar një 27-vjeçar shqiptar një ditë më parë pasi plagosi rëndë një vendas gjatë një sherri.
I riu akuzohet se shkaktoi lëndime të rënda trupore, duke e dëmtuar në sy kundërshtarin e tij, pasi e qëlloi me një pistoletë ajrore. Gjithashtu nga kontrolli në banesë iu gjet një arsenal i tërë armësh të ftohta dhe drogë.
“27-vjeçari dyshohet se e qëlloi në sy me një pistoletë ajrore pas një debati të ashpër. Autori u lokalizua gjatë orëve të mesnatës së djeshme në Volos nga forcat e Policisë, i cili udhëtonte me një makinë. Më pas u krye një kontroll dhe brenda automjetit u gjet një kartëmonedhë 50 euro e falsifikuar, e cila u sekuestrua.”-shkruan “Protothema”.
Ndaj tij u ngrit një çështje penale për veprën penale të qarkullimit të monedhës dhe mjeteve të tjera të pagesës së falsifikuara.Personi tjetër, u plagos në sy dhe u dërgua në spital, ku dhe po trajtohet.
Pas një kontrolli nga Policia Helenike në shtëpinë e autorit të krimit, u gjetën dhe u sekuestruan:

– 9 thika
– Tre pako najloni me sasi kanabisi të papërpunuar, në total 5.14 gramë.
“Personi i arrestuar pritet të çohet në Prokurorinë e Gjykatës Penale të Volosit, ndërsa hetimet paraprake po kryhen nga Nëndrejtoria e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve të Volosit.”- thanë autoritetet./Radar.al


