Ambasada gjermane ka reaguar pas mbylljes së 3 kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ambasada gjermane shprehet se ky është një moment historik, teksa theksohet se kjo gjë tregon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar në fushat kryesore të politikave të BE-së.
Po ashtu ambasada nënvizon se Shqipëria duhet të ruaj këtë dinamikë pozitive gjatë punës së mëtejshme për kapitujt e mbetur.
“Mirëpresim Konferencën e nëntë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe mbylljen e përkohshme të Kapitujve 25, 26 dhe 30 – kapitujt e parë që u mbyllën në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Kjo tregon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar në fushat kryesore të politikave të BE-së, për të thelluar bashkëpunimin në kërkim shkencor dhe inovacion, për të promovuar marrëdhënie më të ngushta arsimore dhe kulturore dhe për të kontribuar në forcimin e sigurisë ekonomike të BE-së.
Ne vlerësojmë përpjekjet e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të arritur këtë moment historik dhe i inkurajojmë ato të ruajnë këtë dinamikë pozitive gjatë punës së mëtejshme për kapitujt e mbetur. Kemi besimin se Shqipëria do të ndërtojë mbi këtë progres, do të vazhdojë kursin e saj të reformave me të njëjtën vendosmëri dhe do të arrijë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme – edhe në fushën e Themeloreve.
Konfirmojmë mbështetjen tonë në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe presim përparim të mëtejshëm në procesin e pranimit, bazuar në arritjet e veta dhe përmbushjen e kritereve të dakordësuara”, shkroi ambasada gjermane në një postim në faqen zyrtare në Facebook.
Shqipëria mbylli një ditë më parë tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian. Në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel, zyrtarët europianë vlerësuan ritmin e reformave, ndërsa kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një tjetër gur kilometrik.


