Shqipëria ka marrë një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Letonisë në stadiumin “Air Albania”, duke mbajtur të ndezur shpresën për një kualifikim historik në Botëror.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me ritëm të lartë dhe vendosmëri për të dominuar. Përpjekjet e para u shpërblyen në minutën e 23-të, kur pas një harkimi të Laçit, topi u ndal me dorë nga një mbrojtës leton. Arbitri akordoi penallti dhe Kristjan Asllani u tregua i saktë, duke e dërguar topin në rrjetë dhe stadiumin në festë.
Letonia u përpoq të reagojë dhe pati një shans të artë me Jurkovskis në fundin e pjesës së parë, por pa arritur të shënojë.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë vazhduan të kërkojnë golin e sigurisë. Bajrami rrezikoi nga distanca, Gjimshiti humbi një rast të pastër pranë portës, ndërsa Broja me shpërthimet e tij mbajti të tensionuar mbrojtjen kundërshtare. Megjithatë, rezultati nuk ndryshoi deri në fund.
Me këtë sukses, Shqipëria ngjitet në vendin e dytë të grupit me 8 pikë, duke kaluar Serbinë që u mund bindshëm nga Anglia me rezultatin 0-4. Letonia mbetet në vendin e katërt me 4 pikë.
Një fitore që jo vetëm i jep moral skuadrës së Sylvinhos, por e mban Shqipërinë fuqishëm në garë për një biletë drejt Botërorit.





















