Në vitin 2020, vetëm pak kohë pasi doli nga burgu, ndërroi jetë nga Covidi, i forti i Tiranës Nehat Kulla. I njohur ndryshe si “gjenerali” me vdekjen e tij brenda familjes shpërtheu lufta për pasurinë që ai kishte vënë.
Një testament i lënë në emër të bashkëshortes, që është gruaja e dytë, duke përjashtuar djalin nga martesa e parë, ka bërë që pasuria e tij të përfundojë në gjykatë dhe i biri në burg. Në lojë është futur edhe i ati i tij, që tashmë kërkon që pasuria të regjistrohet në emër të tij.
Nehat Kulla ndërroi jetë në mes të qershorit të 2020, por siç shikohet nga kjo akt padi në korrik të po atij viti, është lëshuar dëshmia e trashëgimisë. Mirëpo familjarët nuk kanë qenë dakord dhe kanë kërkuar pavlefshmërinë absolute.
Pasi janë zhvilluar disa seanca, beteja vijon ende pasi në vitin 2024, babai i tij Faik Kulla, ka ngritur padi dhe kërkon që të njihet si trashëgimtar i vetëm, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet të pasurive që zotëronte i biri, duke e çregjsitruar bashkëshorten e të ndjerit si poseduese e tyre.
Bëhet fjalë për shtëpinë e famshme të ndodhur në rrugën Myslim Keta, një ndërtesë 2 katëshe, me sipërfaqe 315.8 m2 secili kat. Përveç shtëpisë objekt sherri mes familjarëve të Nehat Kullës është edhe një truall me sipërfaqe 620 m2 + ndërtese me sipërfaqe 100.56 m2, si dhe një truall tjetër me sipërfaqe 2883 m2. Të gjitha në rrugën Myslym Keta.
Pikërisht kjo pronë ka çuar pas hekurave Robert Kullën, djalin e Nehat Kullës, i cila është akuzuar nga njerka për dhunë në familje për pronat.
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg për Robert Kullën, i cili në seancën e zhvilluar më 3 qershor 2024, ka pretenduar se nuk ka ushtruar dhunë. Sipas tij konflikti me gruan e babait të tij është një konflikt civil, që lidhet me pronësinë e banesës, ku të dy pretendojnë pronësinë.
Robert Kulla e kërkon si trashëgimtar ligjor dhe njerka si bashkëshorte e të ndjerit. Ky testament ka përfunduar në gjykatë për cënimin e rezervës ligjore, një klauzolë ligjore që sigurohet të mos përjashtohen nga e drita për të trashëguar një pronë të miturit apo personat e paaftë për punë.
Ajo zbatohet edhe në rast se përjashtohesh edhe me testament nga pasuria. Pas ndërrimit të jetës së Nehat Kullës, është lëshuar dëshmia e trashëgimisë në emër të bashkëshortes, në emër të të cilës ishte testamenti, por noteri nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për të verifikuar rezervën ligjore.
Që do të thotë nëse djali i përjashtuar me testament kishte apo jo fëmijë të mitur në momentin që është lëshuar ky dokument, i cili tashmë kërkon të përfshihet si trashëgimtar. Nëse do të kishte ndodhur kjo atëherë konflikti në këtë familje edhe mund të ishte shmangur.
***
Sipas noteres në shumë raste testamenti hartohej shpejt e shpejt, vetëm për pasurinë që disponon për momentin, ndonjëherë hartohej edhe në inat e sipër, por mbi të gjitha e hartojnë testamentin nën supozimin se bëj çfarë të dua me pronën time, por pa e ditur se ka kufizime legjislacioni.
‘Legjislacioni ynë ka të përcaktuar për sa kohë je gjallë mund të bësh çfarë të duash me pasurinë, ta tjetërsosh nëpërmjet shitjes, dhurimit apo sipërmarrjes. testamenti është i vetmi akt juridik hartohet sa është gjallë por efektet i ka pas vdekjes’u shpreh Elona Saliaj, notere.
Kjo vilë trekatëshe që ndodhet në zemër të Tiranës, afër shkollës pedagogjike, ka futur në sherr dy motra dhe fëmijët e tyre.Nëna e tyre, e cila ishte trashëgimtare e kësaj pasurie nga babai i saj, la një testament olograf, pra me shkrim dore, në vitin 1996. Sipas këtij testamenti ajo u linte dy vajzave nga një dyqan dhe tre dhoma secilës, ndërsa të shoqit i linte një dyqan dhe dy dhoma në përdorim, deri sat të ishte gjallë. Ai nuk kishte të drejtë ti shiste apo ti dhuronte.‘Testamenti është një akt bujarie, është një akt i cili është amanaeti i fundit dhe për shumë persona ato e lënë me akt allograf me shkrim dore dhe ajo mbyllet dhe nuk hapet as për noterin. mbyllet në një zarf dhe hapet vetëm në momentin e çeljes së trashëgimisë’ u shpreh noterja, Elona Saliaj.
Pikërisht kjo pronë e përbashkët është bërë mollë sherri mes dy motrave.Në vitin 2013, pasi e shoqja kishte ndërruar jetë, bashkëshorti harton një tjetër testament dhe ia lë pronën që kishte në përdorim, vetëm njërës prej vajzave. Siç edhe shihet në testament ai përjashton të gjithë trashëgimtarët e tjerë dhe a beson pjesën e pasurisë së tij, në shenjë falënderimi për përkujdesjen gjatë pleqërisë.
Mirëpo vajza tjetër ndërkohë kishte ndërruar jetë dhe ai që la testament vuante prej vitesh nga skizofrenia. Kjo është kartela e shtrimit në QSUT, ku siç shikohet ka qëndruar i shtruar tre javë në QSUT për skizofreni.
Sipas mjekëve skizofrenia është një ndër diagnozat më të rënda dhe degjenerative, pra që agravon me kalimin e moshës dhe mungesën e trajtimit jo të duhur. Megjithatë një komision mjeko ligjor, prej tre vetash i ngritur në vitin 2013, para se të lëshonte testamentin, e konsideroi të aftë për të marrë vendime.Nipërit e kanë çuar çështjen në gjykatë, pasi pretendojnë se gjyshi i tyre nuk ishte i aftë për të gjykuar dhe marrë vendime të tilla të rëndësishme.
Ndërsa mjekja e lagjes që e ka trajtuar deri sa ndërroi jetë më 2018-ën, mohon që të ketë rekomanduar dikë për tiu nënshtruar ekspertizës mjeko ligjore. As ligji nuk është më i qartë. Referuar nenit 373 të Kodit Civil, nuk mund të bëjë testament perosnat që u është hequr zotësia për të vepruar me vendim gjykate apo në kohën e bërjes së testamentit nuk është në gjendje për të kuptuar rëndësinë e veprimit të tij.
Vetë noterët thonë se skizofreia është nga ato sëmundje që ka edhe momente kthjellimi dhe ligji u jep të drejtë që nëse gjatë hartimit të këtij akti, personi përgjigjet dhe shfaq aftësi për të kuptuar dhe vepruar, atëherë nuk kanë përse kërkojnë një ekspert për ta vërtetuar.
Burimi: TCH, Inside Story


