Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e djeshme në zonën e Kamzës ku një 54-vjeçar mësohet të ketë kërcënuar familjen e tij se do e digjte.
Burimet bëjnë me dije se shtetasi në fjalë kanosi gruan dhe fëmijët e tij se do u vinte flakën. Ndërsa pas pak çastesh mësohet se i ka vënë zjarrin banesës.
Fatmirësisht mësohet të ketë patur vetëm dëme materiale.
Për rrjedhojë të ngjarjes policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Bashkim Domi.
Burimet bëjnë me dije se Domi ishte në gjendje të dehur.
Njoftimi i Policisë
Kanosi bashkëshorten e tij dhe fëmijët e tyre, se do t’i digjte me benzinë, dhe më pas i vuri zjarrin banesës, arrestohet në flagrancë 54-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Tuk Jakova”, një shtetas kishte kanosur për jetën familjarët e tij, menjëherë kanë organizuar punën për vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve profesionale të punonjësve të Policisë, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi B. D., 54 vjeç.
Ditën e djeshme, në rrugën “Tuk Jakova”, ky shtetas dyshohet se ka kanosur bashkëshorten e tij dhe fëmijët e tyre se do t’i digjte me benzinë dhe më pas i ka vënë zjarrin banesës. Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


