Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur detaje nga operacioni “Rikthimi”, ku janë ekzekutuar masa sigurie “arrest në burg” për 10 persona dhe janë shpallur në kërkim katër të tjerë, përfshirë Bujar Sefa, Hajdar Sefa, Vildan Baroku dhe Ervis Shuli, i cili ndodhet jashtë shtetit. Mes të arrestuarve figuron edhe djali i një ish-deputeti të Partisë Socialiste.
Hetimet kanë zbuluar se grupi ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike me destinacione të ndryshme ndërkombëtare: nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian. Për komunikimin mes tyre përdornin aplikacionin e enkriptuar “SkyECC”, të cilat autoritetet franceze të drejtësisë i administruan në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike.
Nga hetimet ka rezultuar identifikimi i 14 shtetasve shqiptarë nën hetim: Rexhep, Përparim dhe Gazmir Rraja, Aldo Gjini (alias Aldo Iamandi), Jani Çavo, Islam Sefa (alias Islam Xaka), Agim Nina (alias Lorenc Selmani), Zamir Aliaj (alias Zamir Çoku), Sokol Qaja dhe Marvin Bushati (alias Marvin Kopliku), ndër të tjerë. Hetimet kanë evidentuar rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve në aktivitetin kriminal.
Operacioni ka nxjerrë në pah disa episodë të rëndësishëm të trafikut ndërkombëtar. Më 3 nëntor 2020, autoritetet e Malit të Zi sekuestruan 1.722 kg marijuanë të trafikuar nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Më 23 nëntor 2020, autoritetet holandeze bllokuan 475 kg kokainë të dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë. Më 26 janar 2021, autoritetet turke sekuestruan 236 kg marijuanë të nisura nga Shqipëria me destinacion Turqinë.
Gjatë ekzekutimit të masave të sigurimit personal më 10 dhjetor 2025, një prej të hetuarve iu sekuestrua një armë zjarri model “Glock” dhe u arrestua në flagrancë për mbajtje pa leje armësh, armësh shpërthyese dhe municioni. Përveç armëve, hetimet çuan në sekuestrimin e parave, automjeteve luksoze (BMW X5, Range Rover, Volkswagen Golf 6), aparateve telefonikë, një jeleku antiplumb, dylbive, një ore Rolex dhe dokumenteve të ndryshme që lidhen me aktivitetin kriminal.
SPAK falenderon autoritetet ndërkombëtare, përfshirë Europol, Eurojust dhe shtetet partnere, për mbështetjen e dhënë gjatë hetimeve. Hetimet vijojnë për zbardhjen e të gjitha implikimeve të personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës.


