SHKODËR– Të paktën katër persona janë vënë në pranga ditën e sotme në Shkodër. Në kuadër të operacionit të koduar “Rrethinat” u bë i mundur shkatërrimi dhe goditja e bandës së drogës.
Bazuar një njoftimin e policisë të arrestuarit janë Pajtim Lame, Bajram Bajrami, Dod Kunoraj dhe Ndue Lala.
Grupi i organizuar nga Lala kultivonin, prodhonin dhe shisnin kanabis. Nga ky operacion janë sekuestruarnjë sasi lënde narkotike, automjeti tip “Mitsubishi” me të cilin lëviznin të arrestuarit dhe 4 celularët e tyre. Gjithashtu bëhet me dije se 43-vjeçari Lala pastronte paratë e përfituara nga shitja e kanabisit.
NJOFTIMI I PLOTË:
Shkodër/Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Rrethinat”. Të implikuar si grup, në kultivim, prodhim dhe shitje në doza të Cannabisit, arrestohen në flagrancë 4 shtetas (mes tyre, organizatori i grupit). Sekuestrohen një sasi lënde narkotike, automjeti tip “Mitsubishi” me të cilin lëviznin të arrestuarit dhe 4 celularët e tyre.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Rrethinat”. Në kuadër të këtij operacioni u kapën në flagrancë, në vendin e quajtur “Ura e Bardhajve”, me lëndë narkotike Cannabis Sativa, me vete dhe në automjet, shtetasit N. L., 43 vjeç, P. L., 41 vjeç, B. B., 23 vjeç dhe D. K., 40 vjeç, të katërt banues në Shkodër.
Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas, në formën e grupit të organizuar nga 43-vjeçari, ishin të implikuar në veprimtaritë kriminale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së Cannabisit. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi N. L. pastron paratë/produktet e përfituara nga këto veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


