Tre të rinj janë arrestuar nga policia pas një ngjarjeje të rëndë dhune në rrugën “Mihal Popi” në Tiranë, ku një 21-vjeçar u godit me sende të forta dhe pësoi dëmtime të rënda.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja Dorjana Bezat, ngjarja ka zanafillën nga një konflikt në rrjetet sociale, konkretisht Instagram, mes viktimës dhe autorëve. Tre personat Florjan Faslia (18 vjeç), Mentor Daja (21 vjeç) dhe Samuel Tahiraj (19 vjeç) i janë drejtuar banesës së 21-vjeçarit dhe e kanë sulmuar me sende të forta.
I riu mbeti me shenja të dukshme dhune në fytyrë, pasi autorët i kanë prerë veshin dhe aktualisht po merr kujdes mjekësor në spital.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së njoftimit për konfliktin, organizuan menjëherë punën për kapjen e autorëve dhe vendosjen e tyre para përgjegjësisë ligjore. Autorët janë arrestuar dhe materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’ e kryer në bashkëpunim”, njoftoi Policia.


