Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Zele, ku një shtetas shqiptar ka qëlluar me armë zjarri pronarin e restorantit ku po darkonte me të dashurën e tij.
Sipas mediave belge, incidenti ndodhi rreth orës 20:30 në restorantin “Yega”, në qendër të qytetit. Çifti ishte ulur për të ngrënë, por situata ka degraduar në një debat të ashpër mes tyre.
Pronari ndërhyri për qetësi, u qëllua në qafë
Pronari i restorantit, Mehmeti, 45 vjeç, ka ndërhyrë për t’u kërkuar të qetësoheshin, pasi në ambient ndodheshin edhe klientë të tjerë.
“Papritmas nxori një pistoletë nga pantallonat dhe e drejtoi ndaj meje”, ka rrëfyer Mehmeti për mediat. Sipas tij, kur tentoi të telefononte policinë, shqiptari hapi zjarr dhe e goditi me një plumb në qafë.
“Në atë moment kam kapur vetë pistoletën për të parandaluar më të keqen”, tregon ai, duke shtuar se pati një përleshje të shkurtër para se autori të largohej nga lokali.
I plagosuri jashtë rrezikut për jetën
Pronari u transportua menjëherë në spital dhe më pas është rikthyer në shtëpi. Ai dhe familja e tij shprehen të tronditur nga ngjarja.
“Ishte një klient që kishte ardhur edhe herë të tjera. Kurrë nuk kishte pasur probleme më parë. Nuk e kuptojmë çfarë e shtyu të vepronte kështu”, kanë deklaruar ata.
Sipas pronarëve, autori nuk ishte i dehur, pasi gjatë mbrëmjes kishte porositur vetëm kola.
Fatmirësisht, fëmijët e familjes nuk ndodheshin në restorant në momentin e ngjarjes. Autori është larguar duke marrë me vete armën, ndërsa në vendngjarje ka pamje nga kamerat e sigurisë që e identifikojnë atë.
Policia belge ka konfirmuar incidentin, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme për shkak të hetimeve në vijim. Prokuroria është informuar, ndërsa ekspertët kanë kryer një tjetër inspektim në ambientet e restorantit mëngjesin e sotëm.
Për shkak të hetimeve, lokali do të qëndrojë i mbyllur deri në një njoftim të dytë.


