Katër presidentë amerikanë janë përballur me dilemën për përdorimin e forcës ushtarake ndaj Iranit: Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama dhe Donald Trump. Por vetëm ky i fundit mori vendimin për të ndërmarrë veprime ushtarake, duke e bërë këtë moment një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së tij politike.
Fotot e realizuara në Dhomën e Situatave gjatë këtyre operacioneve ushtarake pritet të mbeten ikonike në historinë amerikane, ashtu siç ndodhi me pamjet e Barack Obamës gjatë bastisjes për eliminimin e Osama bin Ladenit më 2011, apo me imazhet e George W. Bush që autorizoi fillimin e luftës në Irak në 2003.

Ndryshe nga momentet e mëparshme historike, kësaj radhe vëmendjen e mori pamja e Presidentit Trump me kapelën e tij të njohur “Make America Great Again” teksa ndodhej në ‘Situation Room’ për të ndjekur sulmin e fundit ndaj objektivave iraniane.

Në sfond të fotografive bie në sy edhe një gjest i veçantë i Kryetarit të Shefave të Shtabit të Përbashkët, Gjeneralit Dan Caine, i cili shihet duke bërë shenjën e “brirëve”, një simbol që në kulturën moderne lidhet shpesh me muzikën rock, por që historikisht ka qenë një shenjë mbrojtjeje ndaj së keqes, veçanërisht në traditat mesdhetare si Italia.

Ky kombinim i pamjeve — presidenti me kapelen e tij simbolike dhe gjenerali me gjestin e pazakontë — pritet të mbeten si pjesë të albumit vizual të momenteve vendimtare në historinë e presidencës amerikane.





