Ndërsa Bregu Lindor i Shteteve të Bashkuara vijon të rikuperohet nga stuhia e fuqishme dimërore e fundjavës së kaluar, autoritetet paralajmërojnë se një tjetër stuhi e rrezikshme pritet të godasë vendin, këtë herë kryesisht rajonet juglindore.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, një sistem i presionit të ulët pranë bregdetit pritet të shndërrohet në një “ciklon bombë”, një stuhi dimërore që intensifikohet shumë shpejt dhe me pasoja të rënda.
Meteorologët parashikojnë reshje të dendura dëbore, erëra me forcë uragani dhe kushte ekstreme moti. Më të rrezikuara pritet të jenë Karolina e Jugut dhe ajo e Veriut, si edhe pjesë të Xhorxhias dhe Virxhinias.
Në zonat bregdetare të Karolinës së Veriut, raportimet flasin për valë të fuqishme stuhie, det të trazuar dhe dëmtime të mundshme të ndërtesave. Në disa zona, sasia e dëborës mund të arrijë nivele që zakonisht regjistrohen gjatë një viti të tërë.
Pas kalimit të stuhisë, një valë ajri arktik pritet të përfshijë sërish jugun e vendit. Temperaturat do të zbresin nën zero gradë Celsius, madje edhe në disa pjesë të Floridës së Jugut, nivele këto që sipas shërbimit meteorologjik janë regjistruar për herë të fundit në fund të viteve ’80.
Autoritetet paralajmërojnë për rrezik të shtuar të hipotermisë dhe ngrirjes për shkak të temperaturave shumë të ulëta dhe erërave të forta.
Kjo stuhi vjen pas motit ekstrem të fundjavës së kaluar, i cili, sipas mediave amerikane, shkaktoi vdekjen e të paktën 85 personave në disa shtete. Ndërkohë, qindra mijëra familje mbeten ende pa energji elektrike, ndërsa disa shtete kanë shpallur ose zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet dhe të përgatiten për ndërprerje të mundshme të energjisë.


