Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë një partner në Kosovë që të shmangë veprimet destabilizuese dhe të respektojë të drejtat e të gjithë qytetarëve, njoftoi të hënën Ambasada amerikane në Prishtinë.
Ky reagim vjen pas vendimit të SHBA-së për të pezulluar pa afat dialogun strategjik me Qeverinë në detyrë të kryeministrit Albin Kurti, për shkak të shqetësimeve mbi disa veprime të tij.
Një zëdhënës i ambasadës u shpreh për Radio Evropa e Lirë:
“Ne dëshirojmë të ecim përpara me Qeverinë në detyrë, por na nevojitet një partner që kupton domosdoshmërinë për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar ndaj stabilitetit rajonal dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës.”
Zëdhënësi shtoi se e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, zhvillon takime të rregullta me Kurtin dhe i ka shprehur direkt shqetësimet e qeverisë amerikane, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit konstruktiv.
Ambasada nuk ka dhënë detaje mbi veprimet konkrete të kryeministrit në detyrë që çuan në pezullimin e dialogut, por theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë të vlerësojë zhvillimet dhe mbetet mike e ngushtë e popullit të Kosovës.
Dialogu strategjik është një proces i Departamentit të Shtetit që përfshin diskutime të nivelit të lartë mbi tema të ndryshme, duke përfshirë mbrojtjen, sigurinë, energjinë, mjedisin dhe bashkëpunimin ekonomik.


