Një oficere e Policisë Rrugore në Greqi është përfshirë në një skandal të madh, pas publikimeve që hedhin dritë mbi jetën e saj të dyfishtë jashtë uniformës. Oficerja, e cila shërben në Departamentin e Drejtorisë Rrugore të Pireut dhe banon në Nea Smyrni, po hetohet nga autoritetet pas një serie ankesash dhe denoncimesh.
Sipas mediave greke, siç raportoi “Zougla”, pas përfundimit të orarit zyrtar të punës, policja e re dyshohet se angazhohej në aktivitete të paligjshme, përfshirë shantazhe ndaj qytetarëve dhe ofrim të shërbimeve seksuale me pagesë në destinacione si Dubai, Mikonos dhe Atika.
Edhe pse në fillim identiteti i saj u mbajt i fshehtë, raportimet e fundit e identifikojnë atë si Eleni Bobou. Mediat shkruajnë se pas publikimeve, ajo ka kërkuar të fshihet çdo material që e përmend emrin e saj. “Duket qartë se raportimi i Zougla.gr ka shkaktuar reagime në rrethin ku zonja Bobou ishte e lidhur, si në Mikonos ashtu edhe në Atikë,” nënvizon portali grek.

Denoncimi në Drejtorinë e Punëve të Brendshme
“Zougla” ka siguruar edhe një denoncim të dorëzuar në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Policisë, ku një qytetar përshkruan aktivitetet e oficeres:
“Njoh një vajzë që mësova rastësisht është oficere policie. Ajo shantazhon njerëzit, kërkon para, dhurata dhe udhëtime të shtrenjta. Komunikon në Viber ose Telegram dhe kërkon 1000 euro për një takim tjetër dhe për të mos treguar asgjë. Ka lidhje me prostituta dhe përdor rrjetet sociale për të reklamuar jetën luksoze.”
Në denoncim thuhet gjithashtu se policia është në dijeni të këtyre veprimeve, por nuk ka marrë masa disiplinore ndaj saj.
Oficerja përmendet si e përfshirë në marrëdhënie personale me zyrtarë të lartë të Policisë, përfshirë edhe favorizimin në dhënien e pushimeve dhe mbrojtjen e saj nga eprorët.
“Ka marrëdhënie me oficerë të shërbimit dhe komanda të larta. Merr pushime të shpeshta për të udhëtuar jashtë vendit në takime private. Madje ka përfituar edhe pushime mjekësore nga kontakte personale me drejtues spitalesh,” thuhet në ankesën e publikuar.

Hetime për përfshirje në video sadomazokiste
Hetimet janë zgjeruar edhe për një tjetër çështje: prezencën e saj të dyshuar në një video me përmbajtje sadomazokiste, ku ajo shfaqet e maskuar, duke e vështirësuar identifikimin e plotë.
Ndërkohë, përmes aktiviteteve në rrjetet sociale, ajo paraqet një imazh të shkëlqyer, duke reklamuar stil jetese luksoz, udhëtime të shtrenjta dhe procedura estetike.
Hetimet ndaj saj vijojnë, ndërsa skandali ka vënë në siklet autoritetet e Policisë Greke dhe ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi kontrollin dhe etikën brenda radhëve të saj.



