Një operacion i Guardia di Finanza në Itali përfundoi me sekuestrimin e mbi 111 kilogramëve kokainë, të fshehur në një hapësirë të posaçme në kabinën e një kamioni. Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu rreth 19 mijë euro cash.
Autoritetet ndoqën një automjet të dyshimtë nga Ankona drejt Parmës, ku konstatuan shkëmbimin e disa çantave me një kamion. Pas kontrollit, u zbuluan 100 pako kokainë me peshë totale mbi 111 kilogramë.
Me urdhër të Prokurorisë së Parmës, u arrestuan tre persona, mes tyre një shtetas shqiptar, ndërsa dy të tjerët janë me origjinë rumune. Sipas Guardia di Finanza, droga e sekuestruar, pasi të përzihej dhe të shitej në treg, do të kishte një vlerë prej rreth 20 milionë eurosh.
Të arrestuarit janë dërguar në burgun e Parmës, ndërsa hetimet për identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të rrjetit të trafikut të drogës vazhdojnë.


