Para se policia të ndërmerrte aksionet dhe arrestimet e fundit, Inside Story udhëtoi në Divjakë për të investiguar fenomenin e skemave mashtruese që kishin “infektuar” qytetin.
Nga dëshmitë e mbledhura rezulton se mbi 70% e zonës, përfshirë edhe staf të Bashkisë së Divjakës, ishte përfshirë në këto skema. Një nga viktimat e mashtrimit tregon se gjithçka funksiononte si një rrjet merimange:
“Futeshe fillimisht me një shumë të vogël, 8 apo 10 mijë lekë. Pastaj duhej të sillje edhe pesë persona të tjerë për të rritur përqindjen e fitimit. Këta, nga ana tjetër, sillnin të tjerë dhe kështu gjithë qyteti u përfshi”.
Sipas tij, një pjesë e fituesve shërbenin si “karrem” për të thithur më shumë njerëz në rrjet, ndërsa të tjerët humbnin gjithçka.
Ekspertja e kriptomonedhave, Denisa Kele, shpjegon se paratë qarkullonin ose fizikisht mes personave të rekrutuar në Divjakë dhe Lushnjë, ose përmes platformës Binance. “Ishte një skemë e ndërtuar për të tërhequr investime të vogla, të cilat më pas transferoheshin te organizatorët”, thotë ajo.
Edhe eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi, tregon mekanizmin:
“Nëse unë rekrutoja tre persona, merrja 12% të fitimit të tyre. Sa më shumë shtrihej rrjeti poshtë, aq më shumë përfitonin ata lart. Të tjerët, në pjesën më të madhe të rasteve, humbnin”.
Një detaj tjetër i dyshimtë ishte fakti se shumë prej të përfshirëve shkonin në Kosovë për të tërhequr paratë e fituara, për shkak se kriptovalutat nuk janë të legalizuara në Shqipëri. Kjo praktikë është denoncuar edhe nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili madje i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti për informacione të ardhura nga Kosova.
“Shumica i merrnin në dorë në Kosovë. Këtu funksiononte që i transferoje pikët dikujt tjetër dhe pastaj merrje paratë cash. Kështu ka funksionuar gjithandej”, thotë viktima e mashtrimit.


