Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare u kanë ardhur në ndihmë 9 turistëve të huaj në dy incidente të ndodhura gjatë ditës së sotme në Himarë dhe Ksamil, duke shmangur pasoja për jetën e tyre.
Rasti i parë u regjistrua në Himarë, ku pas njoftimit të një shtetaseje spanjolle se i fejuari i saj, shtetasi A. G., kishte mbetur në vështirësi në det në zonën e Filikurit, pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.
Brenda një kohe të shkurtër, efektivët lokalizuan turistin, e nxorën nga uji dhe e transportuan në mënyrë të sigurt pranë Pikës së Kontrollit Kufitar Himarë, duke shmangur rrezikun për jetën e tij.
Ndërkohë, në Ksamil, rreth orës 12:45, Policia Kufitare ndërhyri për të shpëtuar tetë turistë brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, pasi skafi plastik me të cilin po lundronin rrezikonte të fundosej në zonën pas vendit të njohur si “Tre Ishujt”.
Falë ndërhyrjes së shpejtë me gomone dhe jet ski, të gjithë turistët u shpëtuan pa lëndime, ndërsa mjeti lundrues u rimorkua në mënyrë të sigurt drejt plazhit “Puerto Rico” në Ksamil.
Të dy operacionet përfunduan me sukses, pa pasoja për jetën apo shëndetin e turistëve, të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për profesionalizmin dhe reagimin në kohë të shërbimeve të Policisë Kufitare.
Policia Kufitare apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e mjeteve të sigurisë dhe shmangien e lundrimit në zona që paraqesin rrezik, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës në det.


