Policia e Vlorës ka vënë në pranga dy persona me precedentë të mëparshëm kriminalë, pas dhunës së ushtruar ndaj një 61-vjeçari.
Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si “Tregu i Çoles”, në lagjen “Bashkimi”, ku shtetasi Kozma Kukli, 61 vjeç, u dhunua fizikisht me sende të forta. Pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë organizuan menjëherë veprimet hetimore dhe, falë këqyrjes së pamjeve filmike, identifikuan dhe ndaluan autorët e dyshuar, Ermal Sakaj dhe Kaludio Nurçaj.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Viktima ndodhet aktualisht në repartin e Reanimacionit të Spitalit Rajonal Vlorë, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.


