Aktori amerikan Richard Gere ka deklaruar se është “thellësisht i turpëruar” nga retorika kundër emigrantëve e përdorur nga administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe disa ligjvënës republikanë.
Duke folur në Berlin gjatë hapjes së një iniciative të përbashkët mes Qendrës për të Drejtat Themelore të Shkollës Herty dhe Fondacionit Gere, aktori tha se në diskursin politik bashkëkohor emigrantët dhe refugjatët shpesh paraqiten si “të ndryshëm” dhe më pak të vlefshëm, sipas raportimeve të “Hill”.
Gere kritikoi përdorimin e termit “të huaj” për emigrantët, duke e cilësuar atë si një formë dehumanizimi që, sipas tij, i vendos njerëzit në një kategori të dytë dhe injoron historitë, shpresat dhe frikërat e tyre.
Ai iu referua gjithashtu historisë personale të familjes së tij, duke përmendur rrënjët e saj të lidhura me emigrantët e anijes “Mayflower”, si një shembull i faktit se migrimi ka qenë gjithmonë pjesë e historisë njerëzore.
Në fjalën e tij, aktori preku edhe situatën politike në SHBA, duke kritikuar ish-presidentin Donald Trump dhe duke paralajmëruar për atë që e cilësoi si rreziqe të autoritarizmit.
Richard Gere, i cili u zhvendos në Spanjë në vitin 2024, ka qenë më herët kritik i hapur ndaj Trump, duke bërë deklarata të forta në daljet e tij publike.


