Reshjet e dendura të shiut që kanë nisur nga mbrëmja e djeshme kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në 10 fshatra të Njësisë Administrative Potom në Skrapar: Backë, Gjergjovë, Koprenckë, Gërmenj, Visockë, Qafë Helms, Melskë, Nikollarë, Dyrmish dhe Staraveckë. Burime nga OSHE Berat bëjnë me dije se grupet e punës janë në terren për riparimin e shtyllave të dëmtuara dhe rikthimin e energjisë.
Ndërkohë, niveli i lumit Osum po rritet dhe disa hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në fshatin Veterrik dhe zonën e Dafinave në bashkinë Dimal. Gjatë mesditës është vënë re prania e gurëve në zonën e quajtur “Rripi i Strorës”, por qarkullimi vazhdon normalisht dhe po punohet për pastrimin e tyre.
Autoritetet raportojnë se deri tani nuk ka situata emergjente, ndërprerje rrugësh apo banesa të rrezikuara nga uji.


