Real Madridi është shumë pranë finalizimit të një prej transferimeve më të bujshme të kësaj vere. Sipas gazetës spanjolle AS, klubi madrilen ka avancuar ndjeshëm negociatat për Jan Diomande, sulmuesin anësor 19-vjeçar të RB Leipzigut, i cili spikati gjatë sezonit të fundit në Bundesligë.
Pas arritjes së një marrëveshjeje me lojtarin për kushtet personale, drejtuesit e Real Madridit kanë intensifikuar bisedimet me klubin gjerman. Sipas raportimit, ditët e fundit është zhvilluar edhe një takim në Gjermani mes palëve, ndërsa negociatat kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Edhe pse marrëveshja nuk është mbyllur zyrtarisht, burimet bëjnë të ditur se transferimi pritet të finalizohet për një shumë që varion nga 115 deri në 120 milionë euro.
Në garë për talentin afrikan ishte edhe Paris Saint-Germain, i cili për një periudhë konsiderohej favorit. Megjithatë, Real Madridi ka lëvizur me kujdes dhe larg vëmendjes mediatike, duke fituar terren në negociata dhe duke bindur lojtarin të zgjedhë “Santiago Bernabéu”. Po ashtu, raporti thekson se paga e Diomandes nuk do të krijojë probleme me kufirin financiar të klubit madrilen.
Nëse transferimi konkretizohet, konkurrenca në repartin ofensiv të Real Madridit do të shtohet ndjeshëm. Një nga çështjet që pritet të marrë vëmendje në javët në vijim është edhe roli i Vinicius Junior, i cili pritet t’i bashkohet skuadrës pas përfundimit të pushimeve verore.
Drejtuesit e klubit besojnë se Diomande përfaqëson një investim afatgjatë dhe një nga talentet më premtues të futbollit evropian, ndaj janë të vendosur të mbyllin sa më shpejt marrëveshjen me Leipzigun.


