Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar gjetjet e një auditimi mbi sigurinë në shkolla, që mbuloi periudhën shtator 2021 – dhjetor 2024, duke konstatuar përkeqësim të ndjeshëm të indikatorëve dhe mangësi serioze në koordinimin institucional.
Auditimi zbuloi se shumica e buxhetit të Ministrisë së Arsimit nuk shkon për sigurinë (vetëm 0.4%–0.6%). Problemet më të shpeshta raportohen në dhunën fizike (892 raste), dhunën psikologjike/verbale (333 raste) dhe bullizmin (186 raste). Për më tepër, janë regjistruar kërcënime, shantazhe, përdorim i drogës, cigareve dhe alkoolit.
Raporti tregon se vetëm për 4 muajt e parë të vitit shkollor 2024-2025 u regjistruan 528 incidente, përfshirë 8 nxënës me armë. Mungesa e oficerëve të sigurisë në disa shkolla dhe aktiviteti joefektiv i atyre që janë, ka cenuar kontrollin fizik të nxënësve dhe mjediseve shkollore. Në qarqe si Kukësi dhe Gjirokastra ka një oficer sigurie për çdo 25 shkolla, ndërsa në Tiranë raporti është 1 oficer për 3–4 shkolla.
KLSH thekson se raportimi i incidenteve nuk është detyrim ligjor, duke krijuar një pasqyrë të pjesshme dhe të pasaktë të realitetit, ndërsa oficerët ndihen nën presion për të mos raportuar ngjarjet, për të shmangur stigmatizimin e shkollave.
Auditimi rekomandon ngritjen e një strukture të dedikuar për raportimin e incidenteve brenda vitit 2026, si dhe krijimin e një mekanizmi ligjor dhe funksional për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe besueshmërisë në shkolla.


