Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nxjerrë në pah probleme të rënda në trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale në QSUT. Sipas auditimit, mungesat e barnave onkologjike kanë bërë që shumë pacientë të mbeten pa kimioterapi deri në 6 muaj, ndërsa të tjerë janë trajtuar me ndërprerje, jashtë çdo standardi mjekësor.
Në dokumentin prej rreth 200 faqesh thuhet se në disa periudha, stoku i barnave në Farmacinë Qendrore të QSUT ka qenë zero, si në magazinat qendrore ashtu edhe në ato që furnizojnë pavionet e onkologjisë. “Mungesat kanë qenë të përsëritura dhe në disa raste kanë zgjatur deri në gjashtë muaj,” thuhet në raport.
Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton gjithashtu se një pjesë e madhe e protokolleve të trajtimit janë të vjetruara dhe datojnë që nga viti 2014, pa përditësime të rregullta. Kjo situatë, sipas auditorëve, rrezikon cilësinë e kujdesit shëndetësor, pasi përdorimi i udhëzimeve të vjetra mund të çojë në terapi të tejkaluara dhe jo në përputhje me standardet e BE-së dhe OBSH-së.
KLSH i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë ndërhyrje të menjëhershme: ngritjen e një grupi pune për përditësimin urgjent të protokolleve mjekësore dhe sigurimin e një sistemi të qëndrueshëm furnizimi me barna, duke paralajmëruar se vonesat e përsëritura “kanë vënë në rrezik jetën e pacientëve”.

