Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot bazilikën “Zoja e Këshillit të Mirë” në Genazzano, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Vatikan, me ftesë të Selisë së Shenjtë. I shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, djali i tyre Zaho dhe delegacioni zyrtar, Rama u ndal në këtë vend të shenjtë ku ruhet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, e vendosur mbi një fragment muri të shkëputur nga Kisha e Shkodrës në vitin 1467.
Kryeministri theksoi se që nga ajo kohë, asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk kishte vizituar më parë këtë bazilikë, ku përkrah Zojës së Shqipërisë qëndron gjithmonë edhe flamuri kombëtar. Ai shtoi se në këtë vend kanë kryer vizita dhe rite pothuajse të gjithë Papët e Romës, duke e cilësuar Genazzano-n një pikë të rëndësishme shpirtërore për shqiptarët.
Rama bëri me dije gjithashtu se veprimi i parë i Papa Leonit XIV pas zgjedhjes së tij ishte pikërisht një lutje në Genazzano, pranë Zojës së Shqipërisë, e njohur edhe si “Regina di Albania”.
Në vijim të axhendës së tij, kryeministri do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso” nga prefekti i Shtëpisë Papnore dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë. Më pas, ai do të zhvillojë një audiencë me Papa Leonin XIV në Bibliotekën Papnore.
Vizita do të vazhdojë me ndalesa në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe në ambiente të tjera të rëndësishme të Vatikanit, përfshirë Cappella Paolina, Sala Reggia, Kapelën Sistine dhe altarin e Shën Gjon Palit II. Në përfundim, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij do të vizitojnë edhe vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.
Gjatë qëndrimit në Vatikan, në axhendën e kryeministrit janë parashikuar edhe takime të tjera, mes tyre një takim me kardinalin Pietro Parolin, sekretar shteti i Vatikanit.


