Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër prokuroren që, sipas tij, ka vendosur të mos ndjekë penalisht një ndërtim të paligjshëm në zemër të Thethit. Në një video-live pas takimeve në Vlorë, Rama akuzoi prokuroren Marsida Gjeli se ka mbyllur sytë përballë një krimi mjedisor në një zonë të mbrojtur.
“Është e pabesueshme. Një ndërtim i paligjshëm në një zonë të mbrojtur nuk përbën vepër penale për zonjën Gjeli,” u shpreh Rama, duke shtuar se vendimi i saj është “një jerm ligjor” dhe “cenim i rëndë ndaj interesit publik”.
Kryeministri tha se ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe që rasti i prokurores t’i referohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë. “Zonja Gjeli është e padenjë për t’u paguar me taksat e shqiptarëve,” deklaroi ai.
Rama solli në vëmendje edhe raste të tjera ku, sipas tij, vendime të prokurorëve kanë bllokuar projekte publike, përfshirë atë të “Vlora Sport” në Pyllin e Sodës, që ndodhet nën sekuestro për shkak të një vendimi të ngjashëm.


