Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë në shitje, ndërsa vlerësoi masat e ndërmarra nga qeveria për mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore të vendit. Deklaratat u bënë gjatë fjalës së tij në aktivitetin për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.
Duke folur për projektet energjetike dhe mbrojtjen e lumenjve, Rama tha se qeveria ka ndaluar ndërtimin e disa hidrocentraleve në zona të rëndësishme natyrore.
“Leje të dhëna qorrazi në shtretërit e lumenjve. Në lumin e Valbonës kemi ndaluar ndërtimin e 9 hidrocentraleve. Për shpalljen e Vjosës park kombëtar, kemi anuluar 40 kontrata hidrocentralesh. Nuk i është dhënë mbrojtje kaq e fortë, e shpëtuam Vjosën nga hidrocentralet”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te një çështje arbitrazhi ndërkombëtar, duke akuzuar një kompani që, sipas tij, kishte kërkuar dëmshpërblim nga shteti shqiptar.
“Jemi në betejë me një kriminel, kur i mori Shqipërisë 110 milionë euro në arbitrazh, dhe ata opozitarë shpërndanin para zgjedhjeve fletushkën se ikën 110 milionë dollarë nga taksat e shqiptarëve. Ai llum i sjellë në Shqipëri nuk ka marrë asnjë qindarkë, por po përballet me drejtësinë në Belgjikë. Hidrocentrali i tij monstruoz iku për skrap”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Rama theksoi se vendi nuk është përdorur dhe nuk do të përdoret për interesa private, duke e cilësuar Shqipërinë si një përgjegjësi të shenjtë.
“Shqipëria nuk ka qenë kurrë në shitje. Flamuri i ngritur në Vlorë nga plaku legjendar i pavarësisë nuk ka qenë çarçaf patriotizmi, por për ne, për mua, Shqipëria është amanet i shenjtë në sytë, mendjen dhe në zemrën time”, tha Rama.


