Site icon Informohu siç duhet

Rama publikon pamjet nga Thethi: Shteti do marrë kabinat e ndërtuara pa leje, po përgatitet dosja për prokuroren Gjeli

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ndërtimet pa leje në Theth, duke shpërndarë një foto nga ndërhyrja e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe duke deklaruar se të gjitha kabinat e ngritura në mënyrë të paligjshme do t’i kalojnë shtetit.

Sipas Ramës, bëhet fjalë për një “fshat turistik” të ndërtuar nga një person me precedentë penalë, për të cilin autoritetet kanë konfirmuar përfshirje në veprimtari kriminale. Ai akuzon se këto ndërtime “plagosën” imazhin e Thethit dhe se aksioni për prishjen e tyre nuk do ndalet pa “shëruar zemrën e qytezës magjike”.

Kryeministri ka bërë gjithashtu të ditur se Ministria e Drejtësisë po përgatit një denoncim zyrtar ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), pasi kjo e fundit vendosi të mos hapë hetim për ndërtimet, duke i konsideruar strukturat “pa themele” dhe jo objekt penal.

“Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit ‘Gjeli’ në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Kujtojmë se ndërtimet në fjalë janë objekt i një debati të ashpër institucional mes qeverisë, pushtetit vendor dhe organeve të drejtësisë, për shkak të përfshirjes së emrave të njohur të botës së krimit dhe vendimit të prokurorisë për të mos ndjekur penalisht çështjen.

Exit mobile version