Pas çeljes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë nesër vizitën e parë në diasporë. Ndalesa e tij e radhës do të jetë në Milano, ku do të takohet me komunitetin shqiptar që jeton e punon në Itali.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku konfirmoi organizimin e takimit, i cili do të zhvillohet në orën 15:00 në Centro Congressi, MalpensaFiere – Via XI Settembre 16, Busto Arsizio (VA).
Ky takim është pjesë e përpjekjeve të Partisë Socialiste për të përfshirë më shumë diasporën në proceset vendimmarrëse, sidomos në një moment kyç siç janë zgjedhjet e përgjithshme. Vizita e Ramës në Milano vjen vetëm pak ditë pas nisjes zyrtare të fushatës në Tiranë, nën moton “Shqipëria 2030 në BE”.