Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamje nga siti i ri arkeologjik në Bushat, ku vijojnë gërmimet shqiptaro-polake që kanë zbuluar gjurmë të një qyteti antik ilir, i cili daton në shekullin e IV para erës sonë.
Në postimin e tij, kreu i qeverisë nënvizon rëndësinë e këtij zbulimi, duke e cilësuar një tjetër dëshmi të pasurisë së madhe kulturore që mbart Shqipëria.
“Falë bashkëpunimit ndërinstitucional, po hartohet edhe Zonifikimi Arkeologjik, për administrimin e kësaj pasurie të çmuar kulturore”, shkruan Rama, duke shtuar se puna e përbashkët e ekipeve shqiptare dhe polake ka nxjerrë në dritë fakte të reja mbi trashëgiminë ilire në këtë zonë.
Gërmimet në Bushat pritet të vijojnë edhe më tej, ndërsa institucionet përgjegjëse janë duke përgatitur planin për mbrojtjen dhe promovimin e sitit si një destinacion të rëndësishëm kulturor e turistik.


