Kryeministri Edi Rama shprehu sot mbështetjen e tij për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – të cilët përballen me proces gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë, nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Rama ndau mesazhin e ish-sekretarit Amerikan të Shtetit, James P. Rubin, i cili në një intervistë për podcastin Balkans Debrief me gazetaren Ilva Tare, theksoi:
“Do të ishte tragjedi për Kosovën dhe për drejtësinë ndërkombëtare dënimi pa prova i atyre që luftuan për liri.”
Rubin shtoi se një vendim i tillë do të dëmtonte edhe mundësitë e ngritjes së gjykatave ndërkombëtare ligjore në të ardhmen:
“Unë lutem që kjo mos të ndodhë, pasi do të ishte një tragjedi reale për njerëzit që luftuan, ku disa prej tyre dhanë jetën për liri dhe për ata që sot përfaqësojnë miliona kosovarë dhe shqiptarë. Po shpallen fajtorë pa asnjë provë!”
Ai theksoi gjithashtu se kjo situatë do të linte një plagë të gjatë për sistemin ligjor ndërkombëtar:
“Dëmi ka për të qenë për një kohë të gjatë për ata që do të jenë të gatshëm të krijojnë ndonjë gjykatë ndërkombëtare ligjore përsëri. Shpresoj dhe lutem që kjo mos të ndodhë.”
James P. Rubin kishte dëshmuar më 16 shtator në mbrojtje të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e cilësuar të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të Thaçit dhe të tjerëve.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 3 prill 2023 dhe vazhdon ende, ndërsa të katërt kanë mohuar të gjitha akuzat për krime lufte dhe kundër njerëzimit.


