Kryeministri Edi Rama deklaroi se nisma “Ballkani i Hapur” u konsiderua si një ide e gabuar vetëm për shkak se u promovua prej tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama u shpreh se perceptimi ndaj nismës do të kishte qenë krejtësisht ndryshe nëse ajo do të ishte mbështetur nga figura të tjera politike.
“Ishte një ide e tmerrshme vetëm për një arsye, sepse unë dhe Vuçiç ishim pas saj. Nëse do të hiqnim emrat tanë dhe do t’i zëvendësonim me, të themi, pesë të tjerë, do të konsiderohej një ide e shkëlqyer. Kështu funksionon gjithçka në Ballkan”, tha Rama.
Duke folur për marrëdhënien e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri shqiptar e cilësoi atë si “gjithmonë një partner të vështirë”.
Rama komentoi edhe zhvillimet në Mal të Zi, duke vlerësuar transformimin që, sipas tij, ka pësuar vendi në vitet e fundit.
“Mali i Zi ka qenë i jashtëzakonshëm në mënyrën se si është transformuar, nga një anije e lidhur me kontrabandën në një nëndetëse të verdhë që të gjithë e pëlqejnë. Ua heq kapelen; e respektoj këtë. Ata kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por vetëm kjo nuk mjafton”, u shpreh ai.
Në intervistë, e cila do të transmetohet e plotë nesër, Rama theksoi gjithashtu se Evropa ka sot nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Evropian.


