Një trafik i rënduar me radhë që shtrihen për disa kilometra është regjistruar këtë të enjte, më 2 janar, në aksin rrugor Prrenjas–Elbasan, në zonën e Librazhdit, duke shkaktuar bllokim të qarkullimit të automjeteve.
Sipas të dhënave nga terreni, situata është krijuar kryesisht për shkak të kantierëve të ndërtimit përgjatë Korridorit VIII, të cilët kanë ngushtuar ndjeshëm korsitë e lëvizjes. Kjo ka reduktuar ndjeshëm kapacitetin e qarkullimit në një nga akset më të frekuentuara të vendit.
Situata është përkeqësuar edhe më tej nga fluksi i lartë i automjeteve, pasi shumë qytetarë po rikthehen drejt banesave të tyre pas festave të fundvitit, duke sjellë vonesa të gjata dhe pritje të konsiderueshme për drejtuesit e mjeteve.


