Protestat qytetare që nisën kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditën e shtatë, ndërsa tubimet dhe marshimet janë shtrirë jo vetëm në disa qytete të Shqipërisë, por edhe në qendra të rëndësishme ku jeton diaspora shqiptare.
Pas protestës së zhvilluar gjatë paradites në Zvërnec, protestuesit janë mbledhur sërish pasdite rreth orës 18:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Ashtu si në ditët e mëparshme, ata kanë marshuar në drejtim të Kryeministrisë, ku kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe projektit që kundërshtohet prej tyre.
“Edi Rama ka mbaruar”, “Dorëheqje”, “Rama ik” dhe “Atdheu nuk shitet” janë disa nga sloganet që dëgjohen vazhdimisht nga turma e mbledhur përballë selisë së qeverisë. Në duart e protestuesve shihen qindra pankarta, ku krahas kritikave ndaj kryeministrit nuk mungojnë as mesazhet kundër figurave të tjera politike, përfshirë sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”.


