Presidenti rus, Vladimir Putin, u shpreh në Pekin se është i gatshëm të takohet me Volodymyr Zelenskyn, për sa kohë që takimi është i përgatitur mirë. Ai theksoi se nuk e ka refuzuar kurrë një takim që mund të sjellë rezultate pozitive.
Putin shtoi se diskutimet për mundësinë e takimit janë zhvilluar edhe me Donald Trump, duke konfirmuar ftesën për të ardhur në Moskë.
Duke folur për përfundimin e luftës në Ukrainë, Putin deklaroi:
“Shoh një dritë në fund të tunelit. Besoj se, nëse ekziston logjika e shëndoshë, është e mundur të biem dakord për një opsion të pranueshëm për t’i dhënë fund këtij konflikti.”
Ai shtoi gjithashtu se administrata aktuale e SHBA-së ka vullnetin dhe dëshirën për të gjetur një zgjidhje, por paralajmëroi se, nëse negociatat dështojnë, Rusia do të detyrohet të përdorë mjete ushtarake për të arritur objektivat e saj.


