Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të testeve të Maturës Shtetërore, duke e cilësuar këtë veprim si të dënueshëm dhe të papranueshëm. Në një deklaratë zyrtare, Ministria thekson se është ngritur një sistem i posaçëm monitorimi, i cili ka mundësuar identifikimin e personave përgjegjës për rrjedhjen e testeve.
“Çdo akt i publikimit të testit pas përfundimit të provimit, edhe pse nuk cenon vlefshmërinë e tij, është një shkelje serioze e etikës dhe rregullave të provimit,” thuhet në deklaratë. Ministria bën me dije se në një shkollë të qarkut Durrës është përjashtuar nga provimi një maturant që kishte fotografuar testin me celular. Po ashtu, janë marrë masa administrative edhe ndaj administratorit të provimit në atë shkollë, për moszbatim të rregullores që ndalon përdorimin e telefonave në ambientet e provimeve.
Ministria garanton se do të vijojë angazhimin për ruajtjen e integritetit të procesit të Maturës Shtetërore dhe do të marrë çdo masë të nevojshme për të parandaluar fenomene të tilla, që cënojnë rëndësinë dhe besueshmërinë e këtij procesi jetik për të ardhmen e nxënësve.


