Partia Socialiste ka ndërmarrë një hap të ri për të frenuar nepotizmin brenda radhëve të saj, duke miratuar krijimin e një komisioni etike që do të monitorojë lidhjet familjare në nivelet drejtuese dhe raportet me administratën publike.
Projekti u prezantua në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, në prani të kryeministrit Edi Rama, ndërsa detajet u bënë publike nga kreu i grupit, Taulant Balla. Sipas tij, deputetët dhe drejtuesit politikë duhet të ndajnë qartë përgjegjësitë politike nga interesat familjare.
“Çdo deputet i PS duhet ta ketë të qartë se rrethi i tij familjar nuk duhet të ketë asnjë lidhje me administratën publike. Kush e ka këtë problem, duhet ta zgjidhë menjëherë”, u shpreh Balla.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se komisioni etike do të drejtohet nga Lindita Nikolla, me anëtarë Kiduina Zaka, Erjon Malaj, Marjana Koceku dhe Ermal Elezi.
Ndërkohë, dy ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hoqi pezullimin, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është rikthyer me kompetenca të plota në detyrë, duke marrë pjesë fillimisht në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.


