Gjatë tubimit të zhvilluar pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë dhe më pas te Kuvendi, disa protestues ushtruan akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve shtetërore.
Policia e Shtetit bëri thirrje të përsëritura përmes megafonit që protestuesit të distancoheshin nga dhuna, por sulmet vazhduan deri në përfundim të tubimit, duke përdorur bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.
Si pasojë e sulmeve, 16 punonjës policie u lënduan dhe u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, për shkak të djegieve dhe dëmtimeve fizike.
Policia njofton se ka qenë e angazhuar gjatë gjithë tubimit për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe për të mundësuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për tubim paqësor. Strukturat ligjzbatuese po dokumentojnë të gjitha rastet e dhunës për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale autorët, sipas ligjit në fuqi.
Policia e Shtetit thekson se mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit për garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar qytetarët që janë distancuar nga dhuna dhe mediat për transparencën e ofruar.



















