Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Të shtëna me ar*ë në Tiranë, plagoset një person pranë “Farmacisë 10”

    Bashkëpunimi ndërkombëtar çon në arrestimin e “bos-it” të dyshuar të kri*it të organizuar

    E rëndë/ 15-vjeçari humb jetën pasi rrëzohet në sallën e edukimit fizik

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Rajon

    Propaganda ruse në Maqedoninë e Veriut

    February 7, 2026

    Moska përdor në mënyrë sistematike manipulimin e informacionit si mjet të politikës së jashtme. Në Maqedoninë e Veriut propaganda ruse mbështetet në disa narrativa të përsëritura.

    Ndikimi i propagandës ruse në Ballkanin Perëndimor nuk është as i ri dhe as i panjohur. Prej vitesh, institucionet evropiane dhe organizatat e shoqërisë civile paralajmërojnë për rolin destabilizues që Moska luan në rajon, veçanërisht në vendet aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut, anëtare e NATO-s që nga viti 2020 dhe vend kandidat për BE, nuk bën përjashtim nga kjo dinamikë, ashtu si edhe disa shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor, me Serbinë në krye.

    Në këtë kontekst zhvillimet e fundit politike në Shkup kanë shtuar shqetësimet për drejtimin eurointegrues të vendit. Qeveria aktuale dhe kryeministri Hristijan Mickoski nuk kanë treguar vullnet për përshpejtimin e reformave kyçe, veçanërisht ndryshimet kushtetuese, pavarësisht premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore. Premtimi se këto ndryshime do të votoheshin brenda gjashtë muajve nga marrja e mandatit mbeti i parealizuar.

    Ndryshimet kushtetuese

    Më 29 janar, kryeministri Mickoski ishte kategorik: “Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese për sa kohë që unë jam kryeministër, përveç nëse plotësohen të paktën dy kushte”, deklaroi ai, duke përmendur çështjen e të drejtave të komunitetit maqedonas në Bullgari dhe garanci se “nuk të ketë veto dypalëshe, nënçmim dhe poshtërim për arsye subjektive”.

    Sipas politologut Murat Aliut, profesor në Universitetin Nënë Tereza në Shkup, zvarritja e ndryshimeve kushtetuese dhe kjo situatë reflekton më shumë dinamika të brendshme politike sesa ndikim të drejtpërdrejtë rus. Megjithatë pasojat gjeopolitike janë të pashmangshme.

    “Çdo zvarritje e ndryshimeve kushtetuese nënkupton edhe shtyrjen e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. E sa më larg të jetë perspektiva e anëtarësimit në BE, aq më e madhe bëhet hapësira për ndikimin e aktorëve të tretë, përfshirë edhe Rusinë. Në këtë kuptim, ndikimi rus nuk është domosdoshmërisht shkaku i bllokadës, por përfituesi i saj” – thekson Aliu.

    Kur ndikimi pranohet nga brenda

    Një element thelbësor që shpesh anashkalohet në analizat mbi ndikimin e huaj është fakti se propaganda nuk funksionon pa një terren të gatshëm. Asnjë fuqi e jashtme nuk mund të imponojë ndikimin e saj pa një pjesë të shoqërisë apo të elitave vendore që janë të gatshme ta pranojnë atë. Ndikimi nuk është pushtim ushtarak, por një marrëdhënie vullnetare mes atij që ofron narrativën dhe atij që e përqafon.

    Në rastin e Ballkanit, frustrimi i akumuluar ndaj proceseve të gjata dhe të kushtëzuara integruese ka krijuar hapësirë për diskurse alternative. Këtu hyn narrativa ruse.

    Perëndimi si problem, Rusia si alternativë

    Moska ka përdorur në mënyrë sistematike manipulimin e informacionit si mjet të politikës së jashtme. E njohur si “information warfare” apo “Foreign Information Manipulation and Interference”, kjo qasje shkon përtej diplomacisë tradicionale, duke synuar emocionet, identitetin dhe pasiguritë shoqërore. Disa ekspertë e shohin këtë si fenomen të një lufte hibride, ku informacioni përdoret si mjet i ndikimit politik e shoqëror.

    Në Maqedoninë e Veriut, propaganda ruse mbështetet në disa narrativa të përsëritura: Rusia paraqitet si mbrojtëse e vlerave tradicionale, e identitetit ortodoks dhe e pansllavizmit, ndërsa Perëndimi portretizohet si forcë “liberale” që imponon kushte dhe cënon identitetin kombëtar. Ndryshimi i emrit të shtetit, kërkesat për ndryshime kushtetuese dhe respektimin e të drejtave të pakicave shpesh paraqiten si “poshtërime” nga BE-ja.

    Sipas Petrit Saraçinit nga Instituti për Media dhe Analitikë, ndjenjat fetare dhe tradicionale janë një instrument i rëndësishëm në këtë strategji ndikimi. “Strukturat kishtare dhe iniciativa të ashtuquajtura qytetare përdoren si kanale ndërmjetësuese për të ushqyer narrativat kundër Perëndimit ‘të degjeneruar’,” thotë Saraçini.

    Politika lokale dhe aleancat problematike

    Narrativat pro-ruse nuk i ndesh vetëm në media. Ato gjejnë jehonë edhe në politikën vendore. Parti si Levica kanë shprehur hapur qëndrime anti-NATO dhe anti-BE, ndërsa subjekte si “Maqedonia e Bashkuar” e Janko Baçevit promovojnë afrimin me Rusinë dhe refuzimin e integrimeve euroatlantike.

    Edhe brenda ekzekutivit ka figura të njohura për lidhje të ngushta me Moskën. Zëvendëskryeministri Ivan Stoillkoviq, lider i Partisë Demokratike të Serbëve, ka marrë pjesë në forume ruse të sigurisë, ku ka promovuar bashkëpunimin bilateral.

    Këto shqetësime u reflektuan edhe në Raportin e Parlamentit Evropian të 26 qershorit 2025. Raportuesi Thomas Waitz paralajmëroi për ndikimin e konceptit të ashtuquajtur “bota serbe”, të mbështetur nga përfaqësues të qeverisë dhe të lidhur ngushtë me interesat ruse dhe kineze në rajon.

    Media, rrjetet sociale dhe dezinformimi

    Hulumtimet tregojnë se propaganda ruse përhapet kryesisht përmes mediave që ritransmetojnë përmbajtje nga Sputnik Serbia, RT Serbia dhe tabloide serbe, të cilat më pas përshtaten për publikun maqedonas. Platformat e ndryshme të mediave sociale shërbejnë si amplifikatorë të këtyre narrativave.

    “Veçanërisht Facebook, X dhe Telegram përdoren nga ambasada ruse në Shkup dhe fuqizohen nga ferma botesh për të përhapur dezinformata, sidomos lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe të ashtuquajturat “vlera tradicionale”.”thekson Saraçini

    Qëllimi nuk është dominimi i plotë i diskursit publik, por fragmentimi i realitetit informativ, krijimi i konfuzionit dhe dobësimi i besimit në demokraci.

    Pasojat dhe nevoja për reagim

    Edhe pse ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut nuk është aktualisht dominant, ai përbën një rrezik real. Propaganda krijon iluzione, nxit polarizim etnik e fetar, minon besimin në institucione dhe ngadalëson proceset eurointegruese.

    Përballja me këtë fenomen kërkon media profesionale, transparencë institucionale, edukim mediatik dhe rregullim ligjor të pronësisë dhe financimit të mediave. Lufta kundër dezinformimit nuk është censurë, por mbrojtje e hapësirës publike nga keqpërdorimi i lirisë së shprehjes.

    Në fund zgjedhja mbetet politike dhe shoqërore: Evropa si projekt reformash dhe standardesh, apo iluzioni i një alternative që nuk ofron as zhvillim, as siguri./DW

    maqedonia e veriut Propaganda ruse
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Të shtëna me ar*ë në Tiranë, plagoset një person pranë “Farmacisë 10”

    April 17, 2026

    Bashkëpunimi ndërkombëtar çon në arrestimin e “bos-it” të dyshuar të kri*it të organizuar

    April 17, 2026

    E rëndë/ 15-vjeçari humb jetën pasi rrëzohet në sallën e edukimit fizik

    April 17, 2026

    Kuvendi i Kosovës miraton dërgimin e FSK-së në Gaza, 89 vota pro për misionin ndërkombëtar

    April 17, 2026
    Mos e humb
    Fokus April 5, 2026

    Evropa, Shqipëria dhe Berisha ‘në mes’

    Nga Flogert Muça Në diskursin politik shqiptar, sa herë që procesi i integrimit në Bashkimin…

    Rezerva strategjike e naftës, ose zahire për botën e re

    “Po pushton Tiranën”/ Pse Philipp Plein i adhuron shqiptarët? (VIDEO)

    Ish-shoqëruesi besnik i Fatos Nanos: Arben Ahmetaj, dy fjalë kam për ty

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Parashikimi i horoskopit 17 Prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Parashikimi i horoskopit 16 prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Horoskopi për ditën e sotme, 15 Prill 2026

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.