Prokuroria Themelore Publike Shkup ka propozuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak dhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit për ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi.
Sipas njoftimit zyrtar, prokuroria vlerëson se pjesa më e madhe e provave në rastin që lidhet me Lotarinë Shtetërore tashmë është siguruar. Gjithashtu, theksohet se i dyshuari është paraqitur vullnetarisht pranë organeve të ndjekjes dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me institucionet kompetente.
Grubi, i dyshuari i dytë në këtë rast së bashku me pesë persona të tjerë, gjatë ditës së sotme është paraqitur para prokurorit kompetent për të këqyrur shkresat e lëndës. Për shkak të volumit të madh të materialit provues, procesi i këqyrjes do të vijojë edhe në ditët në vijim, pas së cilës atij do t’i jepet mundësia të paraqesë mbrojtjen e tij.
Sa i përket masës së sigurisë, prokuroria argumenton se zëvendësimi i paraburgimit me arrest shtëpiak justifikohet nga fakti se provat kryesore janë administruar tashmë, si dhe nga rrethanat që lidhen me sigurinë personale të të dyshuarit. Sipas njoftimit, ekzistojnë indikacione se në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria e tij, indikacione të mbështetura nga informacione të organeve kompetente.
Po ashtu, shqetësimet për sigurinë thuhet se përfshijnë edhe anëtarë të familjes së tij.


