Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratave përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetin Rexhep Selimi. Prokuroria kërkoi 45 vite burg për secilin prej të katërve, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi kërkesën e Prokurorisë si “varrosje për së gjalli” të ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ai shkroi se është i habitur nga logjika pas këtij kërkese dhe se fjalët nuk i mjaftojnë për të përshkruar reagimin e tij:
“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me m*t që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike!”, shkruan Rama.
Rasti gjyqësor lidhet me pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë. Të katër të akuzuarit kanë deklaruar pafajësi.
Prokurorja e Speciales, Kimberly West, kërkoi që secili prej të katër të akuzuarve të dënohet me 45 vite burg, duke argumentuar se veprimet e tyre përbëjnë shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar dhe krime të rënda kundër popullatës civile.


