Bekim Balaj ishte mungesa e madhe e Vllaznisë në ndeshjen e fundit kundër Teutës. Sulmuesi, i cili kishte plotësuar edhe numrin e kartonëve, ka pasur edhe një dëmtim muskulor.
Një problem që e largoi nga fusha që në minutat e para kundër Egnatias dhe që u mendua si një dëmtim i lehtë. Por realisht situata duket më serioze sesa u mendua fillimisht për 34-vjeçarin. Sulmuesi ka një tërheqje të muskulit në pjesën e pasme të kofshës.
Dhe do mungojë për shkodranët edhe në mes-javë, ku kuqeblutë përballen nesër në orën 19:00 me Dinamon në “Loro Boriç” për ndeshjen e parë gjysmëfinale të kupës.
Gazeta po ashtu mëson se kapiteni i Vllaznisë ka udhëtuar drejt Serbisë për të zhvilluara seanca rikuperimi te Marjana. Doktoresha e famshme e futbollistëve dhe që njihet si një eksperte për raste të tilla. Në mënyrë që rikthimi i Balajt në fushë të ndodhë që në ndeshjen e radhës në kampionat kundër Bylis. Por përveç Balajt një shqetësim më vete janë edhe dy mbrojtësit Stojanoviç dhe Bajrami. I pari po ashtu ka pësuar një tërheqje në stërvitje, një ditë para ndeshjes me Teutën.
E ndërsa ish-mbrojtësi i Gjilanit, Bajrami doli i dëmtuar nga ndeshja në minutën e 30-të në përballjen e fundit me durrsakët. Për të shtuar këtu edhe Alfred Mensah, me sulmuesin ganez nga ajo çfarë mëson gazeta ka shprehur shqetësime fizike në përfundim të pjesës së parë kundër Teutës. Një “dhimbje koke” për Brdariç, i cili në pikën finale të sezonit duhet të bëjë llogaritë edhe me dëmtimet. Ku Vllaznia ka qenë skuadra që ka vuajtur më së shumti ndalesën e futbollistëve në infermieri gjatë këtij edicioni të Superiores.
MBROJTJA Prapavija duket se do jetë reparti për t’u ribërë te Vllaznia në ndeshjen e radhës. Dy titullarët e mbrojtjes si Stojanoviç dhe Bajrami kanë pësuar tërheqje muskulore dhe situata e tyre nuk duket shumë optimiste për ndeshjen e radhës. Me dy qendër mbrojtësit e Vllaznisë që pritet të mungojnë në sfidën e radhës në kupë kundër Dinamos. Tek kuqeblutë në pozicionet e dy mbrojtësve të qendrës për 60 minuta kundër Teutës u aktivizuan Gurishta dhe Krymi. Me dyshen shkodrane që në emergjencë të skuadrës arritën të përgjigjeshin siç duhet. Ku falë eksperiencës dhe cilësive të tyre arritën të mbanin portën e paprekur, duke qenë shumë të rëndësishëm me performancën e tyre kundër durrsakëve. Me shumë mundësi të dy futbollistët do prezantohen edhe njëherë si titullarë në ato pozicione. Me Esat Malen që do zbresë në krahun e djathtë të mbrojtjes për të mbuluar vendin e Gurishtës dhe Jagon që do luajë në pozicionin e tij natyral, atë të mbrojtësit të majtë.
Sara dhe Besi bye bye! Ledri Vula në një romancë me Xhensilën