Mijëra përdorues në mbarë botën kanë raportuar probleme me funksionimin e platformave Facebook dhe Instagram, duke hasur vështirësi në hyrje, ngarkimin e përmbajtjeve dhe përdorimin e shërbimeve.
Sipas platformës së monitorimit të ndërprerjeve IsDown, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar mijëra raportime nga përdorues që sinjalizojnë probleme me aksesin në Facebook. Të dhënat tregojnë se ndërprerja po prek përdorues në disa vende të botës, ndërsa numri më i lartë i raportimeve vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe Filipinet.
Platforma e monitorimit konfirmoi se problemet me shërbimin janë evidentuar që prej pasdites së kësaj të premteje, duke sugjeruar një ndërprerje të përhapur në infrastrukturën e rrjetit social.
Ende nuk dihen shkaqet e sakta të situatës, kohëzgjatja e ndërprerjes apo afati i rikthimit të plotë të shërbimit. Deri në momentin e publikimit të lajmit, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, Meta, nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar lidhur me problemin.
Përdoruesit kanë raportuar vështirësi të ndryshme, duke përfshirë mosngarkimin e faqeve, probleme me hyrjen në llogari dhe ndërprerje të funksioneve kryesore të platformave sociale. Situata mbetet në monitorim, ndërsa pritet një sqarim zyrtar nga Meta për shkakun dhe përmasat e incidentit.


