TIRANË- GJKKO nis sot seanca e parë gjyqësore në themel për çështjen e njohur si dosja e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Kujtojmë se të pandehur në këtë proces janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, të cilët akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të “korrupsionit” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Çështja ka të bëjë me mënyrën e privatizimit të një sipërfaqeje të madhe toke në zonën e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, proces i nisur vite më parë dhe i përfshirë në hetime të gjata nga SPAK.
Në një deklaratë për mediat, Jamarbër Malltezi e cilësoi procesin si të pabazë dhe politik.
“Kjo është një gjueti shtrigash, qesharake, sepse gënjyen dhe thanë që toka ishte e shpronësuar, por doli që toka është e pronarëve. Nuk ka asnjë letër sesi u bë shteti pronar. Ndërkohë që është dokumenti që prej 100 vitesh ajo është tokë e këtyre 5 familjeve.”-tha Malltezi.
Berisha dhe Malltezi kanë mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar ato si sulm politik dhe përndjekje nga mazhoranca në pushtet./Radar.al


