Ditën e sotme në dhomën penale të Gjykatës së Tiranës janë marrë dëshmitë e 5 të miturve në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me vrasjen e Martin Canit pranë shkollës “Fan Noli”.
Burimet bëjnë me dije se të miturit janë pyetur në prezencë të psikologes dhe prindërve, për ngjarjen fatale.
Gjatë seancës gjyqësore mësohet se ka pasur debate mes palëve, ku prokurorja Alma Felaj u përball me pakënaqësinë e prindërve të Luis Meçes, që mbeti i plagosur në ngjarjen që tronditi gjithë Shqipërinë më 18 nëntor të 2024.
Debati mësohet të ketë nisur në momentin kur po flitej për ditën para ngjarjes, ku të miturit Martin Cani e Luis Meçe kanë qenë duke luajtur futboll në Kavajë, dhe janë shoqëruar nga prindërit e Luizit në kthim.
Në sallë u fol për mundësinë që të miturit të kenë debatuar në telefon në mbrëmje me palën tjetër, dhe në lidhje me këtë prokurorja artikuloi se “mbase prindërit kanë qenë në gjumë”.
Kjo deklaratë ka bërë që babai i Luizit të irritohet. E për rrjedhojë i është kundrapërgjigjur prokurores: Ju po flini gjumë me dosjen, ne na zien zemra çdo ditë.
Sakaq mësohet se seanca e radhës u caktua më 28 maj ku do të pyetën 8 dëshmitarë të tjerë, të mitur të cilët kanë dijeni për ngjarjen.


