Princi Harry ka zbuluar se nuk ka më komunikim me babain e tij, Mbretin Charles, dhe ka theksuar se arsyeja kryesore për këtë është çështja e sigurisë personale. Në një intervistë të fundit për BBC, Harry shpjegoi se mbreti ndërpreu marrëdhënien me të pas një konflikti mbi heqjen e mbrojtjes policore nga qeveria britanike, një vendim për të cilin ai ngriti një padi, por që e humbi.
“Babai im nuk flet me mua për shkak të kësaj çështjeje të sigurisë,” tha Harry, duke theksuar se kjo ka qenë gjithmonë një pikë e rëndësishme ndarje mes tij dhe familjes mbretërore.
Ai përmendi gjithashtu se siguria ka qenë një nga çështjet kyçe që ka ndikuar në marrëdhëniet me familjen e tij, pavarësisht gjithë spekulimeve dhe thashethemeve që janë shkruar për këtë temë.
Në të kaluarën, Harry ka shpërndarë detaje mbi këtë çështje, përfshirë në intervistën e tij me Oprah Winfrey në vitin 2021, dokumentarin “Harry & Meghan” në Netflix, dhe në librin e tij autobiografik “Spare”. Megjithatë, intervista e fundit për BBC-në është hera e parë që ai pranon hapur se nuk ka më komunikim me Mbretin Charles për këtë çështje të sigurisë.
Princi Harry përmendi gjithashtu dëshirën e tij për një pajtim me familjen mbretërore dhe shprehu shpresën se raportet mes tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes mund të përmirësohen në të ardhmen.


