Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka akuzuar publikisht një rrjet ndërkombëtar trafikantësh droge, të drejtuar sipas tij nga shtetasi shqiptar Dritan Gjika, se kanë tentuar të kryejnë atentat ndaj tij.
Përmes një postimi në rrjetin social “X” (ish-Twitter), Petro deklaroi se grupi në fjalë, me qendër në Abu Dhabi, përbën një “kartel droge që kontrollon një rrjet prokurorësh dhe ka ndikim në portin strategjik të Buenaventurës”.
Presidenti kolumbian i përshkroi këta individë si autorë të vrasjes së prokurorit paraguaian Marcelo Pecci, duke akuzuar gjithashtu strukturat e hetimit për fshehje të autorëve brenda sistemit të drejtësisë. Sipas Petro-s, të njëjtët persona kanë tentuar të organizojnë një atentat kundër tij, por pa sukses.

Dritan Gjika, 47 vjeç, u arrestua së fundmi në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është një nga të shumëkërkuarit ndërkombëtarë për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe drejtim organizate kriminale. Sipas autoriteteve të Ekuadorit, ai konsiderohet si udhëheqësi i mafies shqiptare në këtë vend dhe një figurë kyçe në rrjetet e trafikut të drogës drejt Evropës dhe Amerikës Qendrore.
Gjika ishte në arrati dhe nuk kishte mundur të përballej me drejtësinë në Ekuador, pavarësisht akuzave të shumta të ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Përgjithshme që në fillim të vitit 2024.


