Papa Françesku, i cili ndodhet i shtruar në spital që prej ditës së premte për shkak të një përkeqësimi të bronkitit dhe një infeksioni të traktit respirator, mësohet se do të ketë nevojë për ditë shtesë shtrimi në spital pasi gjendja e tij shëndetësore paraqitet kompleke.
Zyra e shtypit të Vatikanit në lidhje me kushtet e Atit të Shenjtë, i cili ndodhet në Poliklinikën Gemelli njofton se: “Rezultatet e analizave të kryera ditët e fundit dhe sot kanë dëshmuar një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes, i cili ka çuar në një modifikim të mëtejshëm të terapisë”, thuhet në deklaratën e publikuar.
“Të gjitha analizat e kryera deri më sot janë tregues të një tabloje komplekse klinike, e cila do të kërkojë shtrimin adekuat në spital”, përfundon shënimi.
Para përditësimeve mjekësore, media italiane Ansa raporton se Spitali Universitar kishte mësuar se nata e Papa Françeskut kishte kaluar e qetë dhe pa ndonjë lajm të veçantë. Këto ditë të shtrimit Bergoglio po i kalon në katin e dhjetë, në dhomën e rezervuar për Papët.
Telefonata në famullinë e Gazës
Së fundmi u bë e ditur se Ati i Shenjtë kishte telefonuar famullinë në Gaza gjatë fundjavës. “Ai na telefonoi të premten dhe të shtunën, ishte në humor të mirë, zëri i tij ishte pak i lodhur, por donte të dinte se si ishim. Një koleg ia kaloi telefonin dhe ai mundi të fliste me ne. Megjithatë, të dielën ai pushoi dhe ne e dinim se nuk do të telefononte”, tha për Tgcom24 një nga drejtuesit e famullisë së Familjes së Shenjtë, një komunitet katolik i pranishëm në Rrip.


