Tension sot në Shkodër, ku pasagjeri i një automjeti qëlloi me armë në ajër dhe arriti të shmangë arrestimin nga policia. Bëhet fjalë për Barush Bregun, 39-vjeç, i njohur si krahu i djathtë i Licëve dhe një emër shumë i kërkuar nga drejtësia.
Policia e Shkodrës ndoqi automjetin, por arriti të arrestojë vetëm shoferin, pasi Bregu nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe qëlloi gjatë ndjekjes. Bregu rezulton i shpallur në kërkim për ndihmën që i ka dhënë Ragip Gilës në atentatin e 8 shtatorit të vitit të kaluar, të njohur si masakra e Shkodrës, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dy të tjerë. Ai kishte ndihmuar autorin duke siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen dhe përdorte një banesë si bazë për të fshehur armatime.
Bregu ka një histori kriminale të gjatë; është arrestuar më parë në maj 2019 pas një operacioni të RENEA-s dhe ishte dënuar në vitin 2016 për armëmbajtje pa leje dhe lidhje me trafikun e drogës. Ai konsiderohet një nga figurat kyçe të grupeve kriminale në Shkodër dhe ka lidhje me ngjarje të tjera të rënda në rajon.


