Një 44-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia teksa po riparonte çatinë e një objekti në Sarandë.
Sipas burimeve, i dëmtuari është Besnik Lika, banues në Sarandë. Ai u paraqit në urgjencën e spitalit me plagë të rënda, ndërsa dyshohet se aksidenti ndodhi pasi ra nga soleta gjatë punimeve për riparimin e çatisë së një godine.
Burime nga personeli mjekësor bëjnë me dije se 44-vjeçari ka pësuar frakturë në nivelin torakal T8, me pasojë paralizën e gjymtyrëve të poshtme. Gjendja e tij shëndetësore raportohet e rëndë.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të Sarandës, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Pas marrjes së ndihmës së parë në urgjencën e Spitalit të Sarandës, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, 44-vjeçari do të transportohet me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.


