I penduari i tretë në dosjen “Plumbi i Artë”, Skerdi Tasi, ka dhënë dëshminë e tij përpara Gjykatës së Posaçme, duke hedhur dritë mbi dy vrasje të bujshme që tronditën vendin: ekzekutimin e Emiliano Ramazanit dhe planin për të vrarë Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës.
Në dëshminë e tij, Tasi rrëfeu se u përfshi në grupin kriminal pas rikthimit nga Gjermania, përmes njohjes me Henrik Hoxhën, i cili më pas e prezantoi me Nuredin Dumanin. Ai tregoi se vrasjet ishin porositur nga Erion Alibej, ndërsa vetë kishte marrë pjesë aktive në organizimin dhe realizimin e atentatit ndaj Ramazanit.
Vrasja e Bujar Çelës – pse u tërhoqën
Sipas Tasit, grupi kriminal kishte vendosur fillimisht të vriste Bujar Çelën. U përgatitën për atentatin, morën edhe një kapar prej 5 mijë eurosh dhe u furnizuan me automjete e armë. Megjithatë, dyshimi dhe hezitimi i bashkëpunëtorit të tij, Rikut, bëri që operacioni të ndërpritej. Në një moment, makinë e përdorur për ndjekjen u raportua si e dyshimtë, duke i detyruar të tërhiqen përfundimisht nga objektivi.
Ekzekutimi i Emiliano Ramazanit për 130 mijë euro
Pasi e braktisën planin për Bujar Çelën, grupi e përqendroi vëmendjen te Emiliano Ramazani. Për këtë vrasje, Tasi deklaroi se u ra dakord për një pagesë prej 130 mijë euro. Grupi kishte ndjekur për ditë të tëra viktimën në Elbasan, duke ndërruar automjete me qira dhe vëzhguar lëvizjet e tij.
Sipas dëshmisë, ekzekutimi u realizua në hyrje të banesës së Ramazanit, pasi ai kishte parkuar makinën dhe po përdorte telefonin. Tasi tha se i doli nga pas dhe e qëlloi disa herë me pistoletë në kokë dhe qafë.
Pas krimit, makina që përdorën u dogj së bashku me dy armë, ndërsa armët e tjera u fshehën në një zonë të Peqinit. Më vonë, ato u fotografuan dhe iu dërguan Dumanit përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky”, me qëllim që krimi t’i atribuohej një pale të tretë.
Tasi pranoi se për pjesën e tij kishte marrë 25 mijë euro, ndërsa pagesa u menaxhua përmes një kontakti të quajtur “Klara”.
Dëshmia e tij përforcon strukturën e një rrjeti të sofistikuar vrasjesh me pagesë, ku krimet organizoheshin me kujdes të madh, përmes komunikimeve të koduara dhe shpërndarjes së roleve ndërmjet disa personave.


